Categories
lajm

“Rexha tha ku e ke maskën”, Haradinaj rrëfen daljen publike të UÇK-së në ’97-ën

Content Protection by DMCA.com

Me 28 nëntor 1997, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, bënë daljen e parë publike si ushtarë të UÇK-së në fshatin Llaushë të Skenderajt, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili ishte vrarë nga forcat serbe.

Në rrëfimin për Pressing, Daut Haradinaj, ka shpalosur detaje të asaj dite dhe ka treguar se përse ai ishte i vetmi prej tre ushtarëve të UÇK-së, që nuk kishte vendosur maskë dhe nuk e fshihte identitetin e tij.

“Kur u afruam ngatë, Rexha tha Daut ku e ke maskën. I thashë s’kam marrë maskë. Jo tha duhet maskën, jo jo i thashë nuk e qes maskën hiç. Ishin dy arsye, një sepse isha larg dhe bindja ime që atypëraty fytyra ime nuk identifikohet dhe e dyta që ishte e kjartë se Luan Haradinaj ishte vrarë në dyluftim e sipër dhe s’kishe ti me çka me fshehë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se rolin kryesor për daljen publike të UÇK-së, e kishte komandanti më i shquar Adem Jashari, i cili po atë dite edhe e kishte dhënë një intervistë për një media, në cilësinë e udhëheqësit të UÇK-së.

“Dalja ishte porosi e qartë që UÇK-ja ekziston dhe është e jona. Rolin kryesor e ka pasë Ademi, legjenda Adem Jashari. Ademi doli legal përfundimisht, edhe e dhe nja intervistë për një gazetë të kohës. Intervistua doli më vonë”, tha Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj ka treguar se dalja e tij ishte spontane, si shoqëruesi i lexuesit të letrës.

“Pastaj u dakorduam që me dalë edhe publikisht në binë. Kush po e lexon letrën? Rexhep Selimi me një ose dy shoqërues. Pjesëmarrja e Dautit vije spontanisht. Pastaj kur kam shku në binë, s’kam pasur uniformë me vete, kam qenë civil dhe uniformën ma ka dhënë Musë Jashari”, rrëfeu ai.

Digiprove sealCopyright secured by Digiprove © 2021